Secondary Adv

Infrastruktura, Bashkia e Tiranës 8 mln euro për ndërhyrjet në katër rrugë

Bashkia e Tiranës ka nisur një valë të re ndërhyrjesh në disa akse rrugore të kryeqytetit, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese dhe lehtësimin e qarkullimit në zonat urbane e periferike.

Rruga “Pjetër Budi” me investim 2.5 milionë euro

Një nga projektet kryesore është rikonstruksioni i rrugës “Pjetër Budi”, për të cilin është parashikuar një fond limit prej 250 milionë lekësh, ose rreth 2.5 milionë euro. Rruga, me gjatësi afërsisht 3 kilometra dhe gjerësi nga 4 deri në 6 metra, ndodhet në Njësinë Administrative nr. 2 dhe shtrihet rreth 2.5 kilometra larg qendrës së Tiranës, duke lidhur zonën e Qytetit Studenti me Liqenin e Farkës.

 

Sipas raportit teknik, gjendja aktuale e rrugës është e amortizuar në masë të madhe, me shtresa asfaltike të dëmtuara dhe trotuare që mungojnë ose janë në kushte të këqija. Edhe kunetat ekzistuese dhe muret mbajtëse të banesave përreth janë dëmtuar, duke kërkuar ndërhyrje të plotë infrastrukturore.

 

Katër lote pune për rikonstruksion dhe ndërtim rrugësh

Përveç rikonstruksionit të “Pjetër Budit”, Bashkia e Tiranës ka hapur edhe disa procedura të tjera të mbikëqyrjes për investime në rrugë të ndryshme. Këto përfshijnë:

Loti I: Ndërtimi i unazës Mustafakoc – Veski – Kocaj dhe asfaltimi i unazës që lidh pesë fshatra.
Loti II: Ndërtimi i rrugës Verri – Urë.
Loti III: Ndërtimi i rrugës Pezë e Madhe – Pojan.
Loti IV: Rikonstruksioni i rrugës Pjetër Budi.

 

Tenderat për këto punime janë hapur javën e kaluar, me vlera që arrijnë në disa milionë euro: 196 milionë lekë për rrugën “Verri – Urë” (rreth 2 milionë euro), 179 milionë lekë për “Pezë e Madhe – Pojan” (rreth 1.8 milionë euro) dhe 166 milionë lekë për “Unazën Mustafakoc – Veski – Kocaj” (rreth 1.66 milionë euro).

 

Këto ndërhyrje përbëjnë një pjesë të planit të investimeve publike të Bashkisë së Tiranës, që synon përmirësimin e aksesit rrugor dhe rritjen e sigurisë për banorët në zonat urbane dhe rurale të kryeqytetit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat